Punësimi si Mjek i Huaj

Licenca dhe procesi i punësimit të mjekut të huaj në Austri (dhe krahasim me Gjermaninë).

Institucioni përgjegjës për licencimin e mjekut të huaj në Austri është Dhoma Austriake e Mjekëve. Përveç dhomës qëndrore ekzistojnë dhe dhomat e mjekëve përkatëse për çdo Land. Licencimi i një mjeku të huaj (jashtë Bashkimit Evropian) në Austri kalon përmes konvertimit të diplomës (Nostrifizierung) në një nga universitetet e mjekësisë (Vjenë, Graz, Innsbruck etj).

Aplikanti duhet të bëjë një kërkesë për konvertimin e diplomës, p.sh. pranë Universitetit të Mjekësisë në Vjenë. Në momentin e aplikimit duhet të zotërojë gjuhën gjermane në nivelin B2. Pasi shqyrtohet kërkesa, aplikanti pranon një ftesë për një provim në formatin e një testi (Stichprobentest) që përbëhet nga rreth 260 pyetje (multiple choice), të cilat përfshijnë vetëm lëndët klinike të mjekësisë (jo paraklinike). Në bazë të rezultatit të testit dhe kurikulumit të universitetit të përfunduar, aplikanti pranon një vërtetim që sqaron procedurën e mëtejshme lidhur me provimet që duhet të zhvillojë.

Para vitit 2020 provimet kanë qenë në formatin Rigorosum (provim me gojë), kurse pas vitit 2020 ka ndryshuar formati në një format me teste që quhet SIP. Një provim SIP mund të përmbajë disa lëndë njëkohësisht, p.sh. kirurgji, traumatologji, dermatologji, okulistikë etj. Secili format ka avantazhet dhe disavantazhet e veta.

Pasi aplikanti përfundon me sukses ekuivalentimin e diplomës në atë austriake, merr titullin dr. med. univ. në Austri, ekuivalent me të diplomuarit në universitetin e mjekësisë në Austri.

Për licencimin final, aplikantit i duhet edhe një provim në terminologjinë mjekësore, i zhvilluar nga Akademia e Mjekëve e Austrisë. Kushti për të marrë pjesë në këtë provim është niveli C1 i gjuhës gjermane (p.sh. ÖSD, Goethe etj).

Provimi, i quajtur Sprachprüfung, konsiston në dy pjesë: pjesa me gojë (prezantim i shkurtër rreth kandidatit + komunikim me një koleg ose pacient, para një komisioni prej tre personash — dy profesionistë dhe një gjuhëtar gjerman) dhe pjesa me shkrim (komunikim me shkrim me një institucion shtetëror ose mjekësor, p.sh. kërkesë për trajnim profesional). Pas përfundimit të këtij provimi, personi mund të punojë si mjek i huaj në Austri.

Hapi i fundit është viza. Pasi aplikanti gjen një vend vakant në një spital në Austri, aplikon për vizën Rot-Weiß-Rot – Karte dhe plotëson kushtet për të qenë anëtar i dhomës së mjekëve të landit përkatës. Spitalet e vogla janë më fleksibël me procedurat burokratike, ndërsa spitalet e mëdha më pak. Personi me këtë vizë është i detyruar të punojë në atë spital për 22 muaj, pas së cilës fiton të drejtën për të punuar në tregun e lirë dhe mund të ndryshojë spitalin.

Gjermani vs Austri

Gjermania, duke pasur nevojë më të madhe për shkak të mungesës së mjekëve, nuk kërkon konvertim diplome, por vetëm licencimin e mjekut të huaj (Approbation). Aplikanti duhet të zotërojë minimalisht nivelin B2 të gjuhës gjermane në momentin e aplikimit, pastaj zhvillon një provim në terminologjinë mjekësore (niveli C1), shpesh në spitale me kontakt direkt me pacientët.

Pas përfundimit me sukses të provimit Fachsprachenprüfung, personi mund të fillojë punë në cilindo spital në Gjermani. Aplikantit i jepet një afat prej 2–3 vjetësh për të përfunduar provimin e licencimit (Approbation), i cili konsiston në një provim me gojë para një komisioni, që përfshin mjekësinë interne dhe kirurgjinë. Pas licencimit, koha e punës njihet edhe si kohë specializimi (koha para licencimit njihet vetëm si eksperiencë pune).

Aplikanti ka të drejtë të hyjë në provimin e licencës vetëm tre herë. Ka pasur raste kur aplikantët nuk kanë rezultuar mirë në tre provimet dhe janë detyruar të vijnë, p.sh., në Vjenë për të bërë konvertimin e diplomës.

Lidhje të dobishme

Kontakt: Arben Susuri — arben.prizreni@gmail.com